Kosovë, Llalla takon homologun Lumezi dhe Presidenten në largim Jahjaga

10/03/2016 00:00

Kryeprokurorët e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë diskutuar gjatë një takimi në Prishtinë mbi sfidat kryesore të të dy sistemeve prokuroriale.

Këshilli Prokurorial i Kosovës njofton në një komunikatë për shtyp se, me ftesë të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në Kosovë po qëndron një delegacion i Prokurorisë së Përgjithshëm të Shqipërisë, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Lumezi i ka thënë homologut nga Shqipëria se, sfidë kryesore për Prokurorin e Shtetit të Kosovës është trajtimi i lëndëve të krimeve të luftës, korrupsionit, krimeve ekonomike. Kryeprokurori njoftoi delegacionin e prokurorëve nga Shqipëria se, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është themeluar Departamenti për Krime Lufte.

Ndërsa kryeprokurori Llalla ka thënë se, dy prokuroritë kanë bashkëpunim të mirë dhe do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, duke forcuar sistemin ligjor në të dy vendet, me qëllim integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.

Edhe në takimin me Presidenten Atifete Jahjaga, që po ashtu është zhvilluar pa praninë e medieve, sipas komunikatës nga Presidenca është theksuar rëndësia e thellimit të bashkëpunimit dypalësh edhe në përballje me sfidat globale, siç është luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit radikal.

Top Channel