Opozita rikthehet me gaz lotsjellës. Kuvendi vijon punën me kundërgaz e ventilator

10/03/2016 00:00

Opozita kosovare ka hedhur sërish gaz lotsjellës gjatë seancës së Kuvendit këtë të enjte. Pas këtij akti, opozita konfirmoi zyrtarisht se do të vazhdojë e bashkuar të bllokojë në vijimësi seancat deri në rrëzimin e qeverisë Mustafa.

Falë ventilimit special, seanca ka vijuar me pikat e rendit të ditës dhe kryesuesit e seancave bënë përpjekje për të rikthyer normalitetin. Por opozita ka vazhduar me taktika të reja. Gjatë fjalimit të tij është vënë në shënjestër me rreze të kuqe ministri i Brendshëm Skënder Hyseni. Ndërsa deputeti i VV-së Mytaher Haskuka ka hedhur ujë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa.

Pas seancës, Haskuka u shoqërua në polici bashkë me deputetin tjetër Salih Saliu që hodhi gaz lotsjellës.

Kryeministri Mustafa ka marrë fjalën më pas duke reaguar ndaj këtij akti dhe sulmeve që tha se i janë bërë deri në shtëpinë e tij.
 
“Unë jam kryeministër e jo shenjë që të më gjuajnë. Kjo nuk duhet lejuar nga organet e rendit. Nuk duhet lejuar as të më sulmohet shtëpia. Nëqoftëse shtëpia e kryeministrit sulmohet me koktej molotovi dhe heshtin të gjithë, atëherë diçka nuk është në rregull”, tha Mustafa.
 
Pas këtij fjalimi, Kuvendi ka vijuar punën normalisht, pasi opozita u largua nga salla duke bërë thirrje përmes deputetit të VV-së Smaj Kurteshi për pjesëmarrje masive në protesta.

Top Channel