Kadri Veseli, kryetar i PDK-së deri në mbajtjen e Konventës

09/03/2016 00:00

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka votuar me shumicë absolute votash, Kadri Veselin si ushtrues detyre të kryetarit të partisë, deri në Konventën e jashtëzakonshme më 7 maj, kur pritet edhe zyrtarizimi i tij si pasues i Hashim Thaçit në krye të PDK-së, përmes procesit zgjedhor partiak.

Pasi falënderoi Këshillin Drejtues për përkrahjen, Veseli përshëndeti edhe punën e Hashim Thaçit në krye të partisë, ndërsa u shpreh i bindur se do të vazhdojë sukseset e tij.

“Dua ta them një fakt, sot kur unë po marr drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, kjo është partia më e madhe në vend, ndërsa do të mbetet partia më e fuqishme në Republikën e Kosovës edhe për një kohë shumë të gjatë”, tha Kadri Veseli, ushtrues detyre si kryetar i PDK-së.

Këshilli Drejtues i PDK-së ka nxjerrë edhe një deklaratë politike, përmes së cilës, përveç se i ka dhënë mbështetje koalicionit qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, është zotuar se do të bashkëpunojë me të edhe në një afat më të gjatë.

Përmes deklaratës politike, PDK po ashtu ka ftuar partitë opozitare që të ndalin dhunën në institucione dhe të ulen për dialog me subjektet e tjera, për të gjetur zgjidhje për daljen nga kriza.

Top Channel