Maqedoni, publikimi i listës zgjedhore nxjerr në pah parregullsitë

09/03/2016 00:00

Publikimi në internet i listës zgjedhore nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ka nxjerrë në pah parregullsi të shumta. Partia opozitare, LSDM ka denoncuar disa raste, ku vetëm në një adresë banimi janë regjistruar deri në 40 votues.

Ndërkohë, në një apartament në Komunën Qendër në Shkup janë regjistruar edhe 28 zgjedhës nga Pusteci i Shqipërisë. Disa votuesve nga vendi u është dhënë mundësia të votojnë në dy qendra, ndërsa ka raste kur disa zgjedhës kanë adresë banimi selitë e ambasadave të huaja në Shkup, apo institucionet shtetërore.

“Kaosi zgjedhor që po del në shesh tregon se, VMRO-DPMNE dhe BDI e kanë mbajtur pushtetin deri tani në mënyrë mjaft të dyshimtë dhe jo legjitime. Prandaj është me rëndësi, që shteti shqiptar, nëse nuk mund të bëjë diçka më tepër, atëherë të marrë masa për të penguar përfshirjen e shtetasve të Shqipërisë në manipulimet zgjedhore në Maqedoni”, tha Isen Saliu, analist.

Anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subhi Jakupi thotë se, ky institucion po punon për të eliminuar këto parregullsi.

“Këto anomali që i paraqesin qytetarët, nëse janë të sakta, atëherë duhen mënjanuar. Duhet krijuar besueshmëri te votuesit se, lista e zgjedhësve është në progres për të qenë e besueshme”, tha Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni nisi javën e kaluar procesin për kontrollimin e listës zgjedhore në bazë të metodologjisë së kryqëzimit të të dhënave personale të votuesve, me 11 institucione shtetërore në Maqedoni.

Top Channel