Partizani marshon drejt kreut; ngec sërish Tirana

09/03/2016 00:00

Tirana ka harruar të fitojë dhe në ditën kur edhe tifozët e kanë braktisur, bardheblutë nuk kanë shkuar më larg se një barazim pa gola me Flamurtarin. Nga ndalesa e kryeqytetasve ka përfituar Kukësi, që është ngjitur në vendin e tretë.

Duket se gjërat vijojnë të shkojnë gjithnjë edhe më keq për Tiranën, që nuk fiton prej 1 muaji, kur për here të fundit mundi Laçin më 7 shkurt në transfertë. Në ditën që janë braktisur edhe nga grupimi më besnik i tyre “Tirona Fanatics”, të cilët nuk pranuan të ndjekin ndeshjen në shkallët e stadiumit, por protestuan jashtë tij, Tirana nuk shkoi më larg se një barazim pa gola me Flamurtarin. Edhe pse të besuarit e Ilir Dajës ishin më superiorë se kundërshtari në shumë fraksione të lojës, nuk patën mundësi të gjejnë golin. Momenti më i mirë për Tiranën u fiksua në pjesën e parë, në një shtyllë të japonezit Fukui.

Nga barazimi i bardhebluve kanë përfituar direkt veriorët e Kukësit, që falë fitores minimale 1-0 ndaj Laçit, janë ngjitur përkohësisht në vendin e tretë në klasifikim, me pikë të barabarta me Teutën. Golin e vetëm të takimit e shënoi Emini në minutën e 76-të, ndërkohë që kjo ishte fitorja e tretë radhazi në kampionat për skuadrën e drejtuar nga Klodian Duro.

Një javë pozitive ishte e 25-ta edhe për të kuqtë e Partizanit, që në Ballsh u imponuan falë golave të Emiljano Vilës dhe Lorenc Trashit. Me këtë fitore të kuqtë ruajnë ritmin e kreut në luftën për titullin kampion.

Sukses të rëndësishëm, padyshim arritën edhe shkodranët e Vllaznisë, që në Pukë treguan superioritet ndaj Tërbunit. 4 gola shënuan të përzgjedhurit e Armando Cungut, me Çinarin, 2 herë Dibrën dhe Dycën. Shkodranët me këtë fitore ngjitën në vendin e 7, por ende shumë të rrezikuar për qëndrimin në Kategorinë Superiore.

 

Top Channel