Newcastle drejt rënies, Benitez konsiderohet si shpëtimtar

09/03/2016 00:00

Në Angli, Rafael Benitez vazhdon të ketë një reputacion të mirë pavarësisht shkarkimit nga Reali i Madridit.

Media britanike po kërkon me forcë kthimin e trajnerit spanjoll në Premier League dhe skuadra që ka mundësitë më të mëdha për ta marrë atë është Njukasëll që po lufton për të mos rënë nga kategoria. E përditshmja Mirror e thotë qartë teksa publikon një artikull me titullin ‘Rafa, na shpëto ti!’

Aktualisht, Njukasëll është në vendin e parafundit në klasifikim me 24 pikë në 28 ndeshje dhe kjo i ka shqetësuar jo pak drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët kanë ngritur pikëpyetje për pozitat e trajnerit Steve McLaren që mund të zëvendësohet nga Benitez.

Por problemi qëndron në faktin se Benitez që është ende në kontratë me Realin, do ta ketë të vështire të pranojë të marrë drejtimin e Njukasëll  edhe pse Premier League është kampioonati i preferuar i trajnerit spanjoll. Benitez nuk është mësuar të drejtojë skuadra që janë në luftë për mbijetesë sidomos kur kanë mbetur 10 ndeshje nga fundi i kampionatit.

Gjithsesi te Njukasëll e konsiderojnë si personin e duhur për ta ndihmuar këtë skuadër të dalë nga situata tejmase e vështirë ku ndodhet. Nëse Benitez do ta refuzojë përfundimisht këtë kërkesë të Njukasëll atëherë drejtuesit e klubit mund të drejtojnë vëmendjen nga David Moyes.

Top Channel