Përgatitja e kuqezinjve, De Biasi pranon afrimin e Rashicës

09/03/2016 00:00

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi është i kënaqur me kundërshtarët, me të cilët kuqezinjtë do të përballen në miqësoret para Euro 2016.

“Do të luajmë me dy kundërshtarë të niveleve të ndryshëm, Austrinë më të fortë dhe Luksemburgun më të dobët dhe më pas me Katarin. Zgjedhjet i kam bërë unë, pasi mendoj se po të luanim ndaj një skuadre shumë të fortë mund të pësonim 4 ose 5 gola. Kjo nuk është mënyra më ë mirë për të shkuar në Europian”, tha De Biasi.

Përsa i përket lojtarëve që do të jenë në Francë, ai vazhdon të ketë besim tek ata të cilët kontribuan në këtë kualifikim historik, ndërkohë që pohon se risia e listës së këtyre miqësoreve do të jetë Rashica.
 
“Mendoj se është ende shpejt për emrat e atyre që do të vijnë në Europian, por siç e kam thënë me shumë mundësi do të kenë lojtarët që na kualifikuan. Rashica do të jetë për Luksemburgun, pasi po paraqitet mirë në Holandë. Nuk do të jetë ndaj Austrisë, pasi Shpresat kane një sfidë të rëndësishme kundër Greqisë”, u shpreh trajneri i kombëtares kuqezi.

Pak ditë pasi mori çmimin special “Pankina e Artë 2016”, tekniku italian mori një dhuratë simbolike edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.

“Kjo pllakatë ka vetëm tre ndeshjet e para që ne do të zhvillojmë në Francë. Unë i uroj që në Francë t’i dhurojë edhe një tjetër plakatë për ndeshjet e  tjera”, u shpreh Duka. 

Top Channel