Arsenali në FA Cup, tifozët kërkuan largimin e Wenger

09/03/2016 00:00

Arsenali është skuadra që plotëson kuadrin e cerekfinaleve të Kupës së Anglisë. Topcinjtë e Lopndrës arritën të fitojnë në ndeshjen e përsëritur me Hull City në fushën e këtij të fundit me rezultatin e thellë 4-0.

Protagonistët për të besuarit e Arsen Wenger u bënë pikërisht Olivier Giroud dhe Theo Walcott të cilët shënuan nga 2 gola secili. Për skuadrën londineze duket se FA Cup është mundësia e vetme për të fituar trofe në këtë sezon  duke qenë se në kampionat diferenca me Leicester City është rritur në 8 pikë, ndërkohë që në Ligën e Kampioneve Arsenali e ka humbur sfidën e parë të 1/8 të finaleve ndaj Barcelonës 0-2.

Pas barazimit 2-2 me Tottenham fundjavën e kaluar, presioni mbi Wenger është rritur ndjeshëm, madje tifozët gjatë sfidës me Hull City shfaqën edhe një banner ku i kërkonin largimin teknikut francez. Por Wenger nuk u shfaq i shqetësuar në lidhje me këtë fakt dhe deklaroi se ai do të vazhdojë të bëjë punën e tij.

“Nuk ka asgjë zhgënjyese për mua-tha Wenger pas përfundimit të ndeshjes-ju e dini të gjithë që unë e bëj punën time. Shihni historinë e Arsenalit dhe do të kuptoni se nuk kam asgjë për cfarë të kem frikë. Nuk dua të flas për këtë sepse është e njëjta histori. Dua të di se cili është ai që ka fituar më shumë se unë Kupën e Anglisë”.

Top Channel