Superiore në mesjavë, Skënderbeu-Teuta, Bylis-Partizani

08/03/2016 00:00

Një tjetër ndalesë që do të vendosë shumë mbi titullin kampion në kategorinë Superiore, konsumohet këtë mesjavë në futbollin shqiptar.

Skënderbeu dhe Partizani, dy pretendentët kryesorë do të kërkojnë 3 pikët e radhës në sfidat e së mërkurës në javën e 25, dy sfida me vështirësi të ndryshme.

Korçarët finalizuan përgatitjet e fundit për ndeshjen ndaj Teutës dhe pavarësisht polemikave me Sebino Plakun e pezulluar dhe kapitenin Shkëmbi që nuk pranon pankinën, situata duket e qetë. Ndaj durrsakëve do të rikthehet mbrojtësi Bajram Jashanica, i cili mungoi në transfertën e Laçit, ndërsa e vetmja mungesë do të jetë ajo e Bakary Nimaga, futbollisti nga Mali që është i dëmtuar.

Ndërkohë, Partizani do të luajë në Ballsh kundër Bylisit me entuziazmin e derbit që ende nuk ka kaluar, por me vetëdijen se vendasit do të bëjnë gjithçka për të marrë pikë të vlefshme për mbijetesën. “Demat e Kuq” janë gati të përfitojnë nga hapat fals të Skënderbeut, por do të luajnë pa bomberin e dëmtuar Xhevair Sukaj dhe pa Labinot Ibraimin që është pezulluar.

Sfidë me interes është edhe ajo  kryeqytetit mes Tiranës dhe Flamurtarit që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 14:00. Gilman Lika, Smajli dhe Karan kanë patur probleme fizike, por pritet të mos mungojnë ndaj vlonjatëve, një ndeshje që vendos shumë në garën për t’u kualifikuar në Europa Ligue.

Top Channel