Mungesa dhe dëmtime, PSG në testin e “Stamford Bridge”

08/03/2016 00:00

PSG ka zbarkuar në Londër për të mbrojtur këtë të mërkurë fitoren minimale në ndeshjen e parë ndaj Chelsea-t në Champions League, një 2-1 i brishtë që mund të përmbyset në çfarëdolloj faze në “Stemford Bridge”.

Trajneri Laurent Blanc nuk e fshehu presionin që ka skuadra e tij në turneun elitar europian dhe që mund t’i sjellë transalpinëve avancimin e shumëdëshiruar.

“Kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe mund të ndodhë gjithçka në këtë përballje. Nëse e nisim ashtu si duhet, atëherë nuk do të na ndryshojnë planet rrugës, por ne jemi gati për këtë”, tha Blanc për ndeshjen ndaj Chelsea-t.

Tekniku francez ka disa probleme me dëmtimet, pasi Blaise Matuidi dhe Marco Verratti nuk janë në kushte optimale. Ata udhëtuan në Londër, por nuk dihet nëse do të aktivizohen mbrëmjen e së mërkurës. Blanc vendosi të linte pushim disa titullarë në kampionatin francez, me diskutimin për titullin thuajse të mbyllur.

Por nga Champions League mund të dalësh edhe me një humbje 1-0. Në kampin e bluve, trajneri Hidink mendon se PSG është favorit për kualifikimin. Nën drejtimin e holandezit, rezultatet te Chelsea janë përmirësuar me vetëm 1 humbje në 18 ndeshje në të gjithë turnetë.

Dyshimi më i madh i londinezëve është sulmuesi Diego Costa, ndërsa do të mungojë mbrojtësi John Terry.

Top Channel