Kosovë, përmirësohet situata pas përmbytjeve në disa komuna

08/03/2016 00:00

Një ditë pas vërshimeve në disa qytete të Kosovës nga reshjet, teksa një 76-vjeçar u mbyt në fshatin Dol të Gjakovës dhe shumë lagje e rrugë u përmbytën nga uji, të martën, moti është përmirësuar dhe niveli i ujit në qytetet më të prekura ka rënë.

Departamenti i Emergjencave, në Ministrinë e Brendshme, ka njoftuar se gjatë natës nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje emergjente, pasi reshjet kanë pushuar dhe uji është larguar nga vendet e përmbytura.

Komuna e Gjakovës, ku të hënën ka pasur përmbytje në disa lagje, ka bërë të ditur përmes një komunikate se, tashmë situata është nën kontroll, ndërsa konsideron se vërshimet kanë ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të paautorizuara ndërtimore dhe uzurpimeve të tokave e kanaleve të hapura shkarkuese.

Komuna e Gjakovës thotë se, ekipet emergjente janë në dispozicion të qytetarëve, në rast nevoje.

Pas përmbytjeve në disa komuna nga reshjet, ka reaguar edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili tha se ka biseduar me qendrën e situatave emergjente, por edhe me Forcën e Sigurisë, që – sipas tij, – është e gatshme të ndërhyjë në rast nevoje.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka thënë se, ekipet e duhura do të dalin në terren dhe do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Top Channel