Kosovë, Jahjaga ngre komision “ad-hoc” për demarkacionin me Malin e Zi

08/03/2016 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka finalizuar idenë e nisur muaj më parë, për krijimin e një komisioni “ad-hoc” për rishikimin e përcaktimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi, proces që po kontestohet nga opozita me protesta dhe gaz lotsjellës në Kuvend.

Burime të Top Channel brenda Presidencës kanë bërë të ditur se, deri të hënën e ardhshme Jahjaga do të firmosë emërimin e 3 ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do të rishikojnë të gjitha materialet për demarkacionin.

Edhe pse Jahjaga po e formon këtë komision në fund të mandatit të saj, ai përkrahet edhe nga Presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi, i cili ditë më parë ka konfirmuar për Top Channel se do t’i japë mbështetjen punës së rishikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Profesori i gjeografisë, Florim Isufi ka bërë thirrje, që komisioni i ekspertëve të mos rishikojë vetëm materialet e komisionit shtetëror, por të konsultojë edhe harta të tjera.

“Nëse merret edhe me materiale të tjera të vlefshme, materiale shkencore të publikuara nga institucionet më të besueshme të ish-Jugosllavisë, pres që ai komision – nëse është serioz, – ta modifikojë vijën kufitare dhe do ta çojë atë në vendin e duhur”, tha Florim Isufi, profesor i gjeografisë.

Partitë opozitare nuk kanë ende një qëndrim, nëse do ta mbështesin dhe pranojnë rezultatin e ekspertëve ndërkombëtarë, pasi sipas zëdhënësit të AAK-së, Muharrem Nitaj, opozita ende nuk e di metodologjinë e punës që do të ndjekin ekspertët e huaj.

Top Channel