Rregull i ri në F1, kufizime në komunikimet me radio

08/03/2016 00:00

Botërori i Formula 1 i këtij viti do të ketë të tjera ndryshime, përveç formatit të ri të provave kualifikuese.

Këtë vit gjatë garave do të këtë një kufizim të madh të komunikimit me radio mes pilotëve dhe stafit teknik të skuadrave të tyre që kanë të bëjnë me motorin, konsumin e karburantit dhe të gomave. E gjithë kjo lëvizje e FIA-s u bë për të vënë sërish në qendër të vëmendjes pilotin dhe për të bërë garat akoma më të paparashikueshme.

Ky rregull për kufizimin e ndjeshëm të komunikimit me radio do të nisë të aplikohet që në garën e parë të botërorit të Formula 1 që do të mbahet në Australi në 20 mars.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit e vendosi këtë rregull të ri duke u bazuar në nenin 20.1 të normativës së saj, ku theksohet se piloti duhet të drejtojë makinë i vetëm pa marrë asnjë ndihmë tjetër.

I pari që foli për këtë ndryshim ishte bosi i Mercedes, Toto Wolff, i cili deklaroi se ky rregull ka si anët pozitive ashtu edhe ato negative.

“Ky rregull i ri do të bëjë që të ketë ndryshime në rezultate, gjë që është shumë e rëndësishme për Formula 1”, tha Wolff. “Pilotët do të bëjnë shumë gabime dhe kjo ndryshon pamjen e çdo gare. Por, kjo çështje ka edhe anën jo shumë pozitive të saj. Na pëlqenin komunikimet në radio dhe emocionet që transmetonin pilotët, por ndoshta ne e tepruam shumë në këtë pikë”.

Top Channel