Siguria për Euro2016, Franca simulon sulme terroriste

08/03/2016 00:00

Siguria është çështja që shqetëson më shumë organizatorët e Euro 2016. Për këtë arsye, autoritetet franceze kanë vendosur që të organizojnë një simulim të sulmeve terroriste në kuadër të përgatitjeve për kampionatin Europian, që do të zhvillohet këtë vit në vendin transalpin.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm francez, Bernard Kazenev në një konferencë për shtyp ku deklaroi se aksioni i simuluar do të bëhet në 17 mars në një ‘fan zone’ në Nimes, një qytet që është në jug të Francës dhe që do të presë ndeshje të këtij aktiviteti.

Mësohet se një ditë përpara kryerjes së këtij simulimi, ministri i Brendshëm do të zhvillojë një takim me përgjegjësit për sigurinë për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

Sulmet e 13 nëntorit  të vitit 2015, ku u vranë 130 persona e kanë lënë në alarm Francën. Së fundmi qeveria e vendit transalpin e zgjati gjendjen e emergjencës kombëtare deri në muajin maj. Frika nga kërcënime të tjera ka bërë të mendohet zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë një ditë pas datës së përcaktuar nga UEFA.

Kampionati Europian i Futbollit, ku protagoniste do të jetë edhe kombëtarja jonë, do të nisë në 10 qershor dhe do të mbyllet në 10 korrik.

Top Channel