Ekipi i Tiranës, LSI: Bashkia të përballojë detyrimet si aksionere

08/03/2016 11:30

Anëtarët e LSI-së në këshillin bashkiak të Tiranës i kërkojnë kreut të këshillit, Aldrin Dalipi që bashkia të përballojë detyrimet që rrjedhin nga përqindja e përfaqësimit si aksionere në Klubin e Futbollit të Tiranës.

Këshilltarët e LSI i kanë dërguar një letër Dalipit dhe për dijeni kryebashkiakut Veliaj dhe komisionit të ekonomisë dhe financave, duke marrë shkas nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhet ekipi i  Tiranës.

“Klubi Futbollit Tirana si një ndër klubet me histori dhe traditë në sportin shqiptar, ka dhënë kontributin e tij  ndër vite duke prodhuar breza të tërë sportistësh me vlera qytetare. Këta sportistë jo vetëm i kanë shërbyer krenarisë qytetare të Tiranës, por me talentin e tyre kanë dhënë kontributin në jetën sportive kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, si ambasadorë të sportit shqiptar. Kërkojmë nga ana e Bashkisë të përballojë detyrimet që rrjedhin nga përqindja e përfaqësimit si aksionere e Klubit të Futbollit të Tiranës, duke kthyer këtë ekip në vëmendje dhe traditën që meriton”, thuhet në letrën e këshilltarëve të LSI-së.

Të premten, Tirana humbi derbin e kryeqytetit, ndeshje që u fitua nga Partizani me rezultatin 2-0.

Top Channel