Të mësosh gjuhë të huaja falas…

07/03/2016 00:00

Çdo tavolinë ka një lider. Në çdo tavolinë flitet një gjuhë e ndryshme. Çdo takim është pa pagesë. Ata takohen të hënave pasdite tek Qendra Rinore për të biseduar, praktikuar apo edhe për të mësuar një tjetër gjuhë.

“Ti di një gjuhë dhe nuk ke mundësi ta praktikosh sepse nëpër kurse duhet të investosh për t’u rritur në nivele, këtu të paktën mund të praktikosh të folurën që është një avantazh shumë i madh. Përveç praktikës së gjuhëve të huaja ajo që kam marrë katu është edhe miqësia e mirë”, shprehet një prej të rejave që frkuenton Qendrën Rinore.

Hamide Kulla është nga të parat që i është bashkuar këtij grupi shoqëror.

“Unë jam pjesë e kësaj qendre prej 3 javësh. Rastësisht më ftuan dy mike koreanë, të cilat më thanë se do të hapnin klasën e gjuhës koreane. Kjo është një gjuhë pak ekzotive dhe vendosa të marrë pjesë në grupin e tyre. Përveç gjuhës ne mësojmë edhe gjëra përkatëse për secilin vend”, thotë Hamideja.

Të tjerë dëgjojnë apo lexojnë diku për ta, bëhen kuriozë dhe shkojnë të provojnë një pasdite ndryshme. Nuk ka kufi moshe dhe as kufizime për gjuhën që do praktikohet.

Elisabeth është angleze, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, por ishte hera e parë për të në një takim të tillë, kësaj here për të rikujtuar gjuhën frënge.

“Kur kam mësuar gjuhën shqipe thuajse e kam harruar fare gjuhën frënge. Kur provoj të flas e ngatërroj gjithmonë me gjuhën shqipe. Për ta përmirësuar duhet të kesh dikë për të folur dhe këtu i kam këto mundësi”, shprehet Elisabeth.

Çdo ditë rrethi i tyre zgjerohet, por ata mirëpresin miq të rinj sepse ka shumë tema për të diskutuar dhe shumë gjuhë për të praktikuar.

Top Channel