Vettel i kënaqur: Ferrari, në pozitat e dëshiruara

07/03/2016 00:00

Testet e zhvilluara në Barcelonë kanë treguar se Ferrari është skuadra që do të konkurrojë fort me Mercedesin në Botërorin e Formula 1 të këtij viti, që do të nisë në 20 mars në Australi.

Kohët e kombinuara në të gjitha sesionet e kryera kanë vendosur në krye të klasifikimit Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen duke bërë që optimizimi të jetë i madh në ambientet e “kokëkuqes” italiane. Sipas Vettel, kjo është diçka pozitive, megjithatë duhet parë se çfarë do të ndodhë në javët dhe muajt në vazhdim.

“Kemi bërë hapa përpara”, tha Vettel në një intervistë për RTL. “Besoj se jemi në pozicionin e dëshiruar, ndërkohë që objektivi ynë padyshim është fitimi i Botërorit. Pritshmëritë janë shumë të mëdha dhe kjo do të thotë se njerëzit kanë besim te ne. Dua të fitoj gara dhe të shpallem kampion për pilotë. Cdo rezultat tjetër nuk do të jetë i mjaftueshëm për të gjithë ne te Ferrari”.

Ndërkaq, në ambientet e Formula 1 kanë filluar të vihen bastet e para ku padyshim në qendër të tyre janë Hamilton e Vettel. “Do të jetë si në vitin 2015”, tha piloti i Sauber, Nasr. “Hamilton kampion bote, por këtë radhë Vettel do të jetë i dyti dhe Rosberg i treti”.

Krejtësisht të kundërtën thotë piloti tjetër i Sauber, Ericsson, sipas të cilit, kampioni i botës në Formula 1 për 2016 do të jetë Vettel. Ndërsa Valtteri Bottas në parashikimet e tij thekson se Mercedes është më i fortë se Ferrari.

Top Channel