Krijimi i ushtrisë së Kosovës, Kroacia ofron mbështetje për FSK-në

07/03/2016 00:00

Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë mbështetje të plotë nga Kroacia, për transformimin e saj në Forca të Armatosura dhe përgatitjen e kadetëve në Akademinë Ushtarake në Zagreb.

Ministri i ri i Mbrojtjes së Kroacisë, Josip Buljeviç, vizitën e tij të parë jashtë vendit ka zgjedhur që ta bëjë në Kosovë, nga ku konfirmoi mbështetjen për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Ajo çfarë mund të them në emër të shtetit tim është se, ne me të vërtetë dëshirojmë që transformimi të ndodhë sa më shpejt. Mendoj që forcat e Kosovës janë cilësore. Ne mendojmë se, sa më shpejt të ndodhë transformimi, aq më mirë. Dhe me të vërtetë jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje në këtë aspekt”, tha Josip Buljeviç, ministër i Mbrojtjes, Kroaci.

Ministri kosovar i FSK-së, Haki Demolli e ka krahasuar ndihmën e Kroacisë me atë të Shqipërisë për Kosovën.

“Lirisht mund të themi se, përkrahja e Republikës së Kroacisë ka qenë e njëjtë me përkrahjen, që na ka ofrua Republika e Shqipërisë. Pra, kjo do të thotë se i konsiderojmë dy vende miqësore, dy vende vëllazërore”, tha Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për transformimin e FSK-së në ushtri ka paraqitur të hënën një raport edhe Qendra Kosovare për Studimet e Sigurisë, e cila ka ofruar argumente se FSK-ja mund të transformohet në Forca të Armatosura edhe pa e ndryshuar Kushtetutën, por vetëm duke ndryshuar ligjet parësore të sigurisë.

Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet për ndryshimin e Kushtetutës për transformimin e FSK-së në ushtri, por për këtë nevojiten edhe votat e deputetëve serbë, të cilët janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.

Top Channel