Nancy Reagan ishte mbështetësja më e madhe e bashkëshortit të saj. Ashtu si Ronald, edhe ajo ishte një artiste Hollivudi, që gjeti rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. Martesa e tyre 52-vjeçare është përshkruar si një prej rrëfenjave më të mëdha të dashurisë në historinë e Presidencës amerikane.

“Jeta ime e vërtetë nisi atëherë kur takova tim shoq”, do të shkruante ajo vet dikur. E lindur Anne Frances Robbins në Nju Jork, 6 korrikun e vitit 1921, që në moshë të vogël i drejtoheshin si Nancy dhe këtë emër nuk e ndryshoi më kurrë.

Pas shumë përpjekjesh interpretoi në disa shfaqje në “Broadway”, e në fund arriti Hollivudin si Nancy Davis, ku nga vitit 1946 deri në 1959-n, aktroi në 11 filma.

Fama, megjithatë, e shmangu dhe nuk e pati kurrë shkëlqimin e dëshiruar. Kur takoi Ronald Reaganin, ai sapo ishte divorcuar nga bashkëshortja e parë, Jane Wyman. Asokohe, Reagan ishte president i “Screen Actors Guild” dhe punuan së bashku për filmin “Hellcats of the Navy”.

Që prej atëherë nuk u ndanë më. Pas martesës, Nancy u tërhoq nga kinematografia dhe në pjesën e mbetur të jetës iu përkushtua familjes. Kur i shoqi u zgjodh guvernator i Kalifornisë, e më vonë President i vendit, ajo do të ishte gjithmonë në krah të tij, si një amalgamë mbrojtjeje, kujdesi dhe përkrahjeje pa kufi.

Nancy Reagan konsiderohet si një prej zonjave të para më me influencë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Edhe pse fillimisht u kritikua për rinovimet e shtrenjta që i bëri Shtëpisë së Bardhë, shpejt do të kthehej në një figurë tepër të dashur për publikun.

Homazhet për të vërshuan lumë, por më i rëndësishmi ishte ndoshta ai i Barack dhe Michelle Obamës, të cilët thanë se e konsiderojnë veten “me fat”, që përfituan nga “shembulli i jashtëzakonshëm” i zonjës Reagan.

Top Channel