Kosovë, digjet makina e kreut të grupit parlamentar të LDK-së

07/03/2016 00:00

Pas djegies së makinës së shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, pak ditë më parë, mëngjesin e së hënës në Prishtinë është djegur edhe automjeti zyrtar i shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:30 të mëngjesit në rrugën “Sulejman Vokshi” në Prishtinë, ku persona të panjohur i kanë vënë flakën makinës së tipit “Passat” me ngjyrë të zezë. Dyshohet se automjeti është djegur me koktej molotovi. Policia po heton, por ashtu si në të gjitha rastet që kanë ndodhur më herët, nuk është në gjendje të japë asnjë pistë dyshimi për autorët.

Zyrtari i LDK-së thotë se nuk ka armiqësi personale dhe se sulmi ka prapavijë politike.

“Edhe këto që po bëjnë këta janë vepra të Milosheviçëve të vegjël. Unë dua t’u them që e kanë të kotë, sepse kemi punuar shumë që të kemi këto institucione. Nuk mund të dëmtohen interesat e vendit në këtë mënyrë. Në fund të fundit, unë përfaqësoj një ndër njerëzit, që kanë bërë ose po bëjmë diçka në të mirë të vendit”, tha Ismet Beqiri, shef i grupit parlmentar të LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës e quan ngjarjen një vazhdim të sulmeve kriminale, që kanë ndodhur së fundi brenda dhe jashtë institucioneve.

“LDK fton partitë politike, që në muajt e fundit kanë futur në jetën politike gjuhën e molotovëve dhe të gazrave helmuese, si dhe veprimet e tjera të dhunshme, që të braktisin këtë rrugë të neveritshme, e cila cënon interesat madhore të qytetarëve dhe themelet e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Në një reagim të saj, edhe partia tjetër e koalicionit qeveritar, PDK-ja e quan këtë ngjarje një akt me qëllime të qarta të frikësimit politik dhe krijimit të pasigurisë në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Top Channel