Pas promovimeve në Athinë dhe Janinë, studiuesi dhe historiani i njohur Stavro Dajo ka prezantuar edhe në Selanik librin e tij “Greqi-Shqipëri, 50 vite mosbesim reciprok”.

Promovimi është bërë nga 4 profesorë të Universitetit “Aristotelis”, të cilët kanë bërë një analizë të pjesëve historike të librit, nga viti 1945 deri në vitin 1991. Sipas tyre, historiani nga Gjirokastra, në një libër larg pasioneve nacionaliste, sjell për herë të parë materiale arkivë nga të dy vendet, për luftën civile në Greqi dhe implikimin e faktorit shqiptar në të.

“Trajtimi i çështjes së marrëdhënieve shqiptaro-greke është një çështje shumë e vështirë sepse lidhet me paragjykime të ngulitura dhe të institucionalizuara tek biografia kryesisht kryesisht komuniste shqiptare, por edhe asaj greke që i ka trajtuar këto marrëdhënie në një plan të ulët, semplist dhe pa bazë të pasur arkivore”, shprehet Stavro Dajo,doktor i shkencave historike, Universiteti “Aristotelis”.

Për herë të parë në librin e tij, i treti i këtij studiuesi, dalin shumë fakte të reja mbi rolin e shoqatave të ashtuquajtuara vorioepiriote, në pengimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, marrëdhëniet e luhatura midis dy partive komuniste, greke dhe shqiptare, ndihma që u dha populli shqiptar partizanëve grekë që u strehuan në Shqipëri pas luftës civile në 1949-n.

Kapitull me interes është edhe ai, ku përshkruhet trajtimi që i është bërë komunitetit çam, pas ardhjes së tyre në Shqipëri në vitet 1944-’45, si dhe akuzat politike që iu bënë një pjese të madhe të krerëve çamë nga regjimi komunist shqiptar.

Top Channel