Komunë e re serbe në Kosovë?

06/03/2016 19:45

Nisma e Listës Serbe për të krijuar edhe një komunë të re me shumicë serbe, atë të Prilluzhës që ndodhet mes komunave shqiptare Vushtrri dhe Obiliq, ka shqetësuar banorët e fshatit Stanofc.

Procesi i krijimit të komunave serbe përmes procesit të decentralizimit, ndër vite është shoqëruar me shumë pakënaqësi dhe defekte ku në disa pjesë të Kosovës disa vendbanime shqiptare kanë mbetur si ishuj në mes të komunave serbe.

Banorët e fshatit Stanofc i Ulët kanë nisur të organizohen për të kundërshtuar idenë e vjetër të serbëve.

“Jo, banorët e fshatit Stanofc i Ulët nuk e përkrahin komunën e Prilluzhës, kurrë”, shprehet Rifat Duraku, kryetar i fshatit Stanofc.

Pavarësisht kundërshtimit të shqiptarëve, kryetari i Listës Serbe ka konfirmuar për Top Channel se kërkesën e tyre do ta formalizojnë.
“Ne do të insistojmë ditëve në vijim që të iniciohet  projekti pilot për formimin e komunës së Prilluzhës, që komuna të ketë organet e veta ekzekutive, që të ketë policinë e vet dhe të ketë përfaqësuesit e vet në organet ekzekutive”, tha Slavko Simiç, kryetar i Listës Serbe

Por në Qeveri thonë se nuk kanë asnjë marrëveshje me serbët për këtë ide.

“Kjo kërkesë është e kamotshme. Ka qenë kërkesë e Listës Serbe që nga fillimi edhe para se me nënshkrua marrëveshjen e koalicionit, por nuk ka qenë kërkesë që ne e kemi pas në marrëveshjen e koalicionit”, tha Bajram Gecaj, zv/ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pas zgjedhjes së presidentit të ri, opozita akuzoi mazhorancën se serbët e votuan Hashim Thaçin në këmbim të kësaj komune. Por, Top Channel ka mësuar se Thaçi është votuar vetëm nga gjysma e deputetëve serbë dhe nuk ka pasur asnjë marrëveshje për këtë komunë.

Top Channel