Kaktusët e Kosovës, koleksion me 80 lloje që janë sjellë nga Arizona e largët

06/03/2016 00:00

Fjala “kaktus” të sjell ndërmend shkretëtirën. Por në një qytet si Prishtina, me klimë kontinentale e ku temperaturat në dimër zbresin disa gradë nën zero, pasioni i Almir Fazlijeviç për këtë bimë i ka sfiduar kushtet atmosferike. Në shtëpinë e tij, i riu me profesion mësues ka rritur mbi 80 lloje kaktusi, të ardhura edhe nga Arizona.

“‘Ekinopsis Spaciana’ rritet shumë shpejt dhe është në gjendje të krijojë një mal. Kur rrëzohet në tokë thyhet copa-copa dhe sërish copat rriten. Kjo është ‘Monstruosa’, që gjatë rritjes ka pësuar një mutacion të ADN-së dhe e ka humbur formën, prandaj edhe quhet ‘monstër’, por sipas meje është ndoshta më i bukuri”, tha Almir Fazlijeviç, koleksionues i kaktuseve.

Almirit nuk i kujtohet kaktusi i parë i koleksionit të tij pasi ishte shumë i vogël, ndërsa thekson se kjo bimë emeton energji pozitive dhe se ndihet mirë pranë tyre. Bimët si kaktusi duan kujdes të veçantë sa i përket dritës, ujit dhe temperaturës, ndaj dhe sfidimi i kushteve elementare për rritjen e saj nga Almiri ka zgjuar shpresë te botanistët, që edhe Kosova të ketë një kopësht botanik.

“Kopështi botanik bëhet në një shtet për të mbledhur bimët më interesantë, më karakteristike, sidomos ato endemike të vendit, por edhe të këtilla të të gjitha vendeve të botës. Jo rastësisht nuk është bërë në vitet ’70, kur kemi qenë në autonomi, sepse ajo nënkupton edhe një element shtetësie”, tha Behxhet Mustafa, botanist.

Botanisti Behxhet Mustafa është një ndër avokatët më të mëdhenj në Kosovë për krijimin e një kopështi botanik, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive nga institucionet, as në vitet e pavarësisë.0

Top Channel