Myzhda dhe familja e saj janë prej 40 ditësh në rrugëtim ku kanë përshkuar plot mundim rrugën nga Afganistani e deri në Preshevë. Në kufirin e Kroacisë ata janë kthyer mbrapsht.

Nga nisja e deri në vendin ku janë bllokuar, politika ndaj refugjatëve ka ndryshuar. Afganët më nuk konsiderohen në rrezik. Por, afgania e re nuk mendon kështu. Duke qenë nga një vend në dekada i trazuar, thotë se kthimi do të ishte fundi i tyre.

“Babai im punonte në ushtri dhe me NATO-n dhe sa ishte në punë nuk kishim problem, por tani që është pensionuar tani kemi problem dhe nuk mund të kthehemi në shtëpi pasi kemi problem me talibanët”, thotë Myzhda.

Mijëra refugjatë kanë kaluar nëpër kampin e ngritur në Preshevë. Tani gjendja është vështirësuar dhe njerëzit kanë ngelur në një hapësirë të pashpresë. Nasuf Hasan thotë se kanë parë tmerr gjatë rrugës dhe kur kanë arritur në këtë vend kanë besuar se shpëtimi është afër. Por, ata rrinë duke numruar në vend.

“Shohim çdo natë autobusët me njerëzit nga Iraku e Siria dhe ata mund të shkojnë në Kroaci e Slloveni. Nuk duhet të bëjnë dallime mesh nesh pasi jemi njerëz dhe ne kemi ikur nga lufta dhe kemi fëmijë. Nuk e kuptoj përse jemi këtu”, Nasuf Hasan, refugjat afgan.

Organizatat humanitare janë në gatishmëri, por nuk mund të ndihmojnë më shumë.

“Kryqi i Kuq është i përgatitur për këto situata. Ditët e fundit numri i refugjatëve është shtuar. Janë rreth 1 mijë vetë që marrin ushqim nga Kryqi i Kuq”, thotë Ahmet Halimi nga Kryqi i Kuq i Serbisë.

Disa mijëra refugjatë kanë ngelur të bllokuar në zonën e Preshevës. As policitë e shteteve e as politika nuk kanë gjetur një zgjidhje të përbashkët. Por, për njerëzit si Myzhda, një vend i sigurt është më i mirë se atdheu, ku nuk beson se lufta do të përfundojë shpejt.
 
“Kemi 40 ditë që jemi në rrugë dhe kemi kaluar 6 ose 7 shtete. Nga Afganistani, Irani, Turqia, Greqia, Maqedonia e tani në Serbi dhe tani thonë që nuk mund të shkojmë. Përse na lejuan të vinim deri këtu? Është e padrejtë”, thotë ajo.

Mediat e rajonit dhe ato gjermane e kanë përmendur edhe Shqipërinë si një rrugëtim i ri i mundshëm, por pa ndonjë informacion konkret. Në një labirint të pamundur prej muajsh ndodhen edhe refugjatët, por edhe Evropa që prej dekadash ndërtoi ura besimi që u lëkundën nga kriza e pafund. Refugjatët thonë se fati i tyre tashmë është ta provojnë sërish.

Top Channel