Përkujtohet rënia e Adem Jasharit

05/03/2016 18:00

Në Kosovë u përkujtua rënia e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari së bashku me 20 anëtarë të familjes së tij.

Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, homazhet filluan mëngjesin e së shtunës. Edhe pse prej ditës së zgjedhjes së tij President, ish-komandantë të UÇK-së, sot anëtarë të partive të ndryshme politike janë përfshirë në një debat në lidhje me fillimet e luftës së UÇK-së, Hashim Thaçi nga Prekazi jep mesazhin se kjo ngjarje duhet të jetë moment uniteti.

“Sot jemi këtu në Prekaz që të marrim energji të reja për konsolidimin e forcimit të shtetit për ta anëtarësuar Kosovën në NATO dhe Bashkimin Europian. Sot është dita e unitetit dhe bashkimit qytetarë pa shikuar dallime partiake, etnike, fetare, lokale, për t’u bashkuar edhe njëherë në përpjekjet tona për të fuqizuar edhe më tepër vendin tonë”, deklaroi Thaçi.

Homazhe bënë edhe liderë të partive politike e qytetarë, ndërsa në Prishtinë, në kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mban emrin “Adem Jashari”, u zhvillua manifestimi i përvitshëm kushtuar “Epopesë së UÇK-së”, ku  pjesëtarëve të FSK-së iu drejtua vëllai i komandantit.

“Ne duhet të jemi syhapur, të punojmë dhe të veprojmë, të ruajmë gjakun e bijve dhe bijave tona. Ta çojmë amanetin ku ata dëshiruan. Nëse punojmë së bashku, çdo gjë do të kalojmë më lehtë. Ushtarë të nderuar, mua po më kënaqet zemra, kur po u shoh ju këtu para nesh, se dikur në këtë vend këtu është rreshtuar dhe ka komanduar ushtria serbo-sllave e Beogradit”, është shprehur Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit.

Ndërsa presidentja në largim, Atifete Jahjaga theksoi se kjo është dita e bashkimit, kur mendohet për të ardhmen duke lënë anash dallimet politike.

Natën mes 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, kulla e Jasharëve në Prekaz të Drenicës u rrethua nga forca të shumta serbe. Masakrës i mbijetoi vetëm nje vajzë, Besarta. Çdo mars në Kosovë, sakrifica e Jasharëve, përkujtohet me ceremoni që zgjasin tre ditë, aq sa zgjati në atë kohë edhe beteja e tyre me ushtrinë serbe. 

Top Channel