Hamilton “ndez” Mercedesin për sezonin e ri

05/03/2016 00:00

Lewis Hamilton ndihet gati për sezonin e ri në Formula 1. Piloti britanik e shprehu këtë menjëherë pas përfundimit të testeve të dyta të zhvilluara në pistën e Montmelo në Barcelonë, ku ai pati edhe një problem me trasmisionin e makinës, por që për të nuk ishte shumë shqetësues.

“Ndihem në formë dhe gati për sezonin e ri. Mezi po pres që të shkojmë në Australi – tha Hamilton -këto dy javë do të jenë të rëndësishme për përgatitjen psikologjike, por unë ndihem shumë mirë dhe për fat të mirë testet përfunduan. Tani vijnë garat. Jam i kënaqur për punën që është bërë, përmirësimet që po vijojnë të bëhen. Skuadra është përpjekur shumë. Kur fiton është e lehtë të ulësh disi ritmin, por ne e dimë që të tjerët po kërkojnë të jenë në nivelin tonë dhe për këtë arsye të gjithë i janë përveshur punës”, pohoi britaniku.

Hamilton foli edhe në lidhje me formatin e ri të provave zyrtare duke u shfaqur disi skeptik.

“Nuk mendoj se ishte e nevojshme që të bëhet një ndryshim i tillë – tha Hamilton – por nësë duhej me çdo kusht, të paktën të gjendej një zgjidhje që të entuziazmonte më shumë. Gjithsesi të shohim si do shkojnë gjërat në Melburn, ndoshta ky format do të na habisë dhe mund të jetë më emocionues”.

Top Channel