Partizani fiton derbin, 2-0 ndaj Tiranës

04/03/2016 00:00

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës u mbyll me fitoren e “demave të kuq” 2-0, në një ndeshje emocionuese si në fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumit.

90 minutëshi në impiantin “Qemal Stafa” mori përmasa shpërthyese që në start kur u shënuan dy gola brenda çerek ore lojë. Tifozët bardheblu vuajtën supermacinë e sikletshme të mbështetësve rivalë që kaluan në delir për këtë avantazh komod.

Koreografia e bukur e tifozëve u harrua shpejtë me golin e Xhevahir Sukaj në të parin aksion të vërtetë të Partizanit. Një krosim i Fejzullahut solli goditjen me kokë të sulmuesit shkodran që ishte i aftë t’i shpëtonte markimit të mbrojtësve.

As koha për të reaguar nuk ju la Tiranës së trajnerit Daja pasi këtë herë Fejzullahu shënoi personalisht duke tundur me kokë rrjetën e portës së Bakaj. Me shifrat 2-0 Partizani ruajti frenat e lojës, ndërsa ndeshja u ndërpre në një çast pas përdorimit të lazerëve nga disa tifozë dhe kapitenët qetësuan mbështetësit respektivë.

Për Tiranën në fraksionin e parë raste sporadike me Gilman Likën dhe Fukuin. Lufta sportive u zëvendësua shpejtë me nervozizmin në rinisje të lojës dhe nga kjo më shumë vuajti Tirana e cila e pa veten në inferioritet numerik.

Kartoni i verdhë për Elis Bakajn u kthye mënjëherë në të kuq pas protestave të sulmuesit bardheblu ndaj arbitrit kryesor Jemini, një veprim amator në një derbi me peshë të tillë. Minuta e 60 solli tension mes futbollistëve ndërsa në stadium gjatë gjithë kohës kishte ofendime të ndërsjella mes tifozërive.

Deri në fund shifrat nuk ndryshuan dhe “demat e kuq” siguruan një fitore morali, por mbi të gjitha që vlen në garën për titullin kampion. Skënderbeu që luan të shtunën në fushën e Laçit është tashmë vetëm një pikë larg.

Top Channel