Kosova pranë njohjes nga UEFA

04/03/2016 00:00

Çështja e shumëdiskutueshme e pranimit të Kosovës me të drejta të plota në organizmat ndërkombëtarë të futbollit do të rikthehet në pak javë sërish në axhendë.

UEFA ka bërë të ditur se për përfaqësimin e shtetit shqipfolës do të vendoset me të gjitha gjasat më 3 maj, datë kur do të mblidhet edhe kongresi vjetor i zakonshëm.

Në rast se pranohet si anëtare e 55-të e UEFA-s, atëherë Kosova do të mund të përfshihet edhe në kualifikimet për Kupën e Botës 2018, që nisin në shtator të këtij viti.

Ka qenë greku Theodore Theodoridis, i cili e ka konfirmuar një gjë të tillë në një konferencë për media në selinë e UEFA-s. Zyrtari helen që është emëruar Sekretar i përkohshëm i UEFA-s në vend të Infantinos i cili u zgjodh president i FIFA-s, tha edhe detajet.

Sipas mediave, UEFA do të kërkojë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, më 17 e 18 mars në Zyrih, për të përgatitur dokumentet për ta pranuar Kosovën si një anëtare të organizatës botërore. FIFA mban Kongresin e saj vjetor më 13 maj në Mexico City.

“Kosova teorikisht mund të luajë në kualifikueset Rusi 2018. Por, janë dy hapa që duhen kaluar”, ka theksuar Theodoridis, duke lënë të kuptojë se duhet anëtarësimi i plotë.

Theodoridis është ish-zyrtar i federatës greke dhe djali i pronarit të Olympiakos, një emër kontravers i përfshirë në dyshime për trukimin e rezultateve.

Top Channel