Udhëheqësit e partive politike greke janë takuar për më shumë se 5 orë, në një mbledhje urgjente nën praninë e Presidentit, gjatë së cilës kryeministri Tsipras ka kërkuar të përcaktohet një strategji kombëtare para samitit emergjent Turqi-BE, me temë kryesore krizën e refugjatëve.

Udhëheqësit e opozitës kanë kritikuar kryeministrin Tsipras, duke akuzuar se, e gjithë retorika e qeverisë së tij përgjatë vitit 2015 është interpretuar si një ftesë për qindra mijëra njerëz, që të largohen nga zonat e luftës dhe nga zonat e varfra të Lindjes së Mesme e Afrikës së Veriut.

Mbledhja në fjalë është bërë në momentet kur Bashkimi Europian, në përpjekjet e tij duket se ka arritur në prag të një marrëveshjeje me Ankaranë, për të frenuar fluksin e madh të refugjatëve, nga Turqia në ishujt grekë.

Burime zyrtare nga Brukseli kanë pohuar mesditën e së enjtes lajmin e publikuar nga “FT”, se Turqia ka rënë dakord me BE-në që të pranojë kthimin në territorin turk të të gjithë emigrantëve në Greqi, që nuk janë nga Siria.

Në Paris, Merkel dhe Hollande kanë rënë dakord se, preferencë e BE-së është ruajtja e kufijve të unionit dhe marrëveshja e “Schengen”-it, për të cilën kreu i KE-së Donald Tusk, 24 orë më parë nga Athina deklaroi se, Greqia ka qenë dhe do të jetë pjesë e saj.

Ndërkohë, pothuajse të gjitha mediet greke i janë referuar deklaratës së kryeministrit shqiptar në takimin me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, se Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e saj, por dhe nuk do të vendosë mure, ndërsa theksohet edhe takimi i ministrit të Brendshëm Tahiri me homologun e tij italian për çështjen e refugjatëve.

Qeveria greke, një pjesë e së cilës udhëton në Ankara të martën, në mbledhjen e përbashkët tradicionale të dy qeverive që bëhet njëherë në vit, shpreson që BE-ja të arrijë një marrëveshje me Turqinë për të reduktuar fluksin dhe për të marrë pas një pjesë të mirë të emigrantëve “ekonomikë”, veprime të cilat do të lehtësojnë përkohësisht  gjendjen e krijuar në territorin grek, ku numërohen më shumë se 30 mijë refugjatë, gjysma e të cilëve thuajse vetëm në fshatin Idomeni në kufirin grekomaqedonas.

Top Channel