Maqedoni, porositë e zyrtarit amerikan për politikanët para zgjedhjeve

04/03/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjekin nga afër zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, si dhe mbështesin fuqishëm të gjithë faktorët për organizimin e zgjedhjeve korrekte.

Pas vizitës dyditore në Shkup dhe takimeve me përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee u shpreh optimist se, deri më 5 qershor mund të krijohen kushtet për zgjedhje të lira.

“Ne ndjekim nga afër disa nga çështjet specifike, që kanë të bëjnë me listën zgjedhore, që është në proces pastrimi. Po ashtu, monitorojmë reformat në media dhe rolin e medieve për të siguruar hapësirë të barabartë televizive për të gjithë, gjatë periudhës parazgjedhore. Ne mbikëqyrim gjithashtu edhe situatën e përgjithshme, pasi qytetarët duhet të kenë mundësi të votojnë të lirë”, tha Hoyt Brian Yee, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit.

Gjatë qëndrimit në Shkup, diplomati amerikan vizitoi edhe Prokurorinë Publike dhe atë Speciale. Ai tha se, Uashingtoni pret që të gjithë politikanët, të cilët shkaktuan krizën, të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

“Në të gjitha takimet, dje dhe sot, theksuam nevojën për mbështetjen e Prokurorisë Speciale. Duhet të përkrahet sundimi i së drejtës dhe të ketë garanci se, të gjithë ata që janë përgjegjës për krizën do të përgjigjen për veprimet e tyre. Besoj se porositë tona u kuptuan nga të gjitha partitë politike. Presim nga të gjithë, që të mbështesin punën e Prokurorisë Speciale dhe, nëse vërejmë shkelje e pengesa të tjeram do të japim sërish këshilla, nëse do të ketë nevojë”, tha më tej Hoyt Brian Yee.

Zyrtari i lartë amerikan dhe politikanët në Shkup kanë biseduar edhe për përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit.

Top Channel