Barça “gjuan” rekordet, në shënjestër ai i Juves e Milanit

04/03/2016 00:00

Barcelona është vënë në ndjekje të rekordeve. Skuadra katalanase mundi Rayo Vallecanon 5-1 duke regjistruar ndeshjen e 35 pa humbje, një rekord absolut për kampionatin spanjoll.

Detyra e Barcelonës tani është që të kalojë kufinjtë e vendit iberik në këtë pikë, pasi janë 3 skuadra të tjera që kanë bërë më mirë se ajo dhe bëhet fjalë për Juventusin, Nottingham Forest dhe Milanin.

“Zonja e vjetër” në sezonin 2011-2012 kur drejtohej nga Antonio Conte arriti në 42 ndeshje pa pësuar humbje dhe katalanasve iu duhet që të qëndrojnë edhe 7 sfida të tjera pa u mundur për ta barazuar atë.

Milani i Arrigo Saçhit në sezonin 1990-1991 shënoi 36 ndeshje pa pësuar disfatë, ndërkohë që më i largët është kujtimi i Nottingam Forest. Skuadra angleze në sezonin 1977-1978 pati një seri prej 40 ndeshjesh pa pësuar humbje.

Ndeshja e radhës së Barcelonës është ajo me Eibar në fushën e këtij të fundit. Skuadra spanjolle humbjen e fundit e ka pësuar më 3 tetor në “Sanchez Piz’huan” ndaj Sevillas.

Që nga ai moment, kampionët iberikë kanë shënuar 29 fitore dhe 6 barazime me një bilanc prej 107 golash të shënuar e 20 të pësuar, shifra këto që padyshim do të ndryshojnë në sfidat e ardhshme.

Top Channel