Vuçiç çon Serbinë në zgjedhje, të vendosë populli: Drejt BE-së, apo Rusisë

04/03/2016 00:00

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç shpalli zgjedhjet e parakohshme. Pas vendimit të vet qeverisë dhe kryeministrit, Aleksandar Vuçiç, Serbia do të konfirmojë edhe një herë zyrtarisht rrugën e saj, më afër BE-së apo Rusisë.

“Ndoshta për qytetarët është e vështirë, por kërkojmë një mandat të ri për të bërë reformat dhe duhet të dimë se jemi duke punuar drejt”, tha Tomislav Nikoliç, President i Serbisë.

Zgjedhjet vijnë në kohën kur Vuçiç është pa konkurrencë, në një periudhë të shpartallimit total të opozitës, që përbëhet vetëm nga disa parti të vogla.

Vuçiç, i cili në pozitën e kryeministrit forcoi marrëdhëniet me rajonin, por ngriti edhe fronte të reja, tani mund të ketë edhe një mandat katërvjeçar, në kohën kur bisedimet me Kosovën priten të bëhen më intensive, por edhe për shkak të interesit të Serbisë në negociatat për integrim.

Së fundmi është hapur edhe tema e anëtarësimit në NATO, një gjë jo shumë e pëlqyer në Serbi.

Në arsyetimin zyrtar thuhet se, Serbia ka nevojë të verifikojë rrugën e qartë dhe pa hamendësime drejt hyrjes në familjen e popujve europianë.

Top Channel