Milan-Juventus, kur finalja vendosej nga një shqiptar

04/03/2016 00:00

Milani dhe Juventusi përballen për herë të katërt në një finale të Kupës së Italisë, por pak e dinë se finalja e parë mes këtyre dy skuadrave është vendosur nga një shqiptar.

Riza Lushta, shqiptar i lindur në Mitrovicë në vitin 1916, ishte pjesë e bardhezinjëve nga viti 1940 deri në vitin 1945.

Një viti pasi iu bashkua Torinos, ai do të shndërrohej në vendimtar në finalen me dy takime të Kupës së Italisë kundër Milanit.

Shqiptari, i natyralizuar italian, shënoi 3 herë në ndeshjen e përfunduar 4-1 për Juventusin në Torino, duke u dhënë bardhezinjve trofeun e Kupës së Italisë.

Lushta e ka nisur karrierën si futbollist me skuadrën e Tiranës në vitin 1934. Pas 5 sezoneve me bardheblutë kalon me Barin në Itali, ku luan vetëm një sezon e transferohet në Torino. Fanelën e bardhezinjëve do ta mbante veshur për 5 sezone, për t’u larguar më pas në drejtim të Napolit.

Do të mbyllte karrierën si futbollist në vitin 1953 pas një sërë aventurash në kategoritë inferiore në Itali dhe do të vendosej në Torino për të jetuar, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1997 në moshën 80-vjeçare.

Në nder të Riza Lushtës, stadiumi  i Mitrovicës, vendlindjes së tij mban këtë emër.

Top Channel