Dhuna në futbollin grek, pezullohet edicioni i sivjetshëm i Kupës

03/03/2016 00:00

Qeveria greke vendosi mbrëmjen e së enjtes pezullimin për këtë vit të ndeshjeve të Kupës në futboll.

Zëvendësministri i Sporteve, Stavros Kondonis ka theksuar se dhuna e një dite më parë, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes PAOK-Olympiakos është rezultat i manipulimeve dhe performancës së dobët të federatës dhe gjithë sistemit të kalbur, që ajo përfaqëson.

Sipas Kondonis, Federata nuk është e aftë të kurojë “sëmundjet” shumëvjeçare të sistemit, që vet ajo krijoi. Përveç kësaj, Kondonis ka sulmuar lidhjen e arbitrave dhe krerëve të klubeve, të cilët mbështesin ose financojnë grupe mafioze në sportet greke.

Shumë presidentë klubesh janë akuzuar kohët e fundit nga drejtësia, për lidhjet e tyre me botën e krimit, madje deri në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Trazirat shpërthyen pas një penalltie të mohuar në dëm të PAOK dhe ngjarjet në vijim kanë shtyrë ministrin e Sporteve, që të rekomandojë pezullimin e të gjitha eventeve futbollistike. Stadiumi “Toumba” në Selanik i ngjante një zone lufte, me dhjetëra tifozë të inatosur që luftonin me policinë.

“Këto janë veprime ekstreme dhe të pajustifikueshme, që nisën para ndeshjes dhe vazhduan më vonë. Ne do të analizojmë gjithçka dhe do të marrim masa në bazë të statutit. Nuk do të lejojmë futbollin të përfshihet në këto episode, që shkojnë përtej çështjeve kontroverse dhe t’i bashkohen problemeve aktuale të vendit tonë”, tha ministri grek i Sporteve.

Zyrtari helen iu referua krizës ekonomike dhe çështjes së refugjatëve, që kanë gjunjëzuar Greqinë. Ndeshja mes PAOK-ut dhe Olympiakosit ishte e dyta në këtë sezon që ndërpritet për shkaqe dhune, dhe si rrjedhojë ka sjellë dhe pasoja për kampionatin helen.

Top Channel