Afron Europiani, deri tani 2 milionë bileta të shitura

03/03/2016 00:00

Pikëpyetjet që janë ngritur në lidhje me sigurinë për Euro 2016 nuk i kanë ndaluar tifozët që të blejnë bileta për ngjarjen më të rëndësishme futbollistike të kontinentit të vjetër të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare të organizatorëve të Europianit dhe të publikuara nga UEFA, deri tani janë shitur 80% e numrit total të biletave, e thënë ndryshe, 2 milionë të tilla, ndërkohë që kërkesa për to arriti deri në 16 milionë.

Organizatorët e Euro 2016 bëjnë të ditur se ka pasur persona që kanë blerë bileta nga 200 vende të ndryshme dhe deri tani ata që kanë siguruar numrin më të lartë të tyre janë tifozët polakë.

Federata Europiane e Futbollit duke parë këtë situatë nuk ngurroi të bëjë edhe llogaritjet për përfitimet nga shitja e këtyre biletave. Mësohet se institucioni më i lartë i futbollit në kontinent pret që të ardhurat e përfituara nga biletat e shitura deri tani dhe atyre që do të shiten më vonë të arrijnë në 250 milionë euro.

Por jo vetëm kaq, UEFA ka marrë masa që të mos ketë shitje të biletave të Euro 2016 në mënyrë të paligjshme në treg të zi. Ky institucion ka krijuar një platformë të re të rishitjes së biletave të kompeticionit që do të nisë më 9 mars.

Kështu tifozët që kanë aplikuar suksesshëm për bileta dhe që nuk i kërkojnë më ato, mund t’i rishesin ato pikëtisht nëpërmjet kësaj platforme.

Çmimi i biletave të Europianit varion nga 25 deri në 895 euro në varësi të fazës në të cilën zhvillohen sfidat. Deri tani përballjet me kërkesat më të mëdha dhe me biletat më të shtrenjta janë sfida e hapjes së Euro 2016, çerefinalet dhe finalja e madhe.

Top Channel