Tirana s’e pret derbin, hap shampanjën për… Bulkun

03/03/2016 00:00

Kryeqyteti po përgatitet për festën e madhe sportive që pritet të kulmojë të premten duke nisur nga ora 18:00 në stadiumin “Qemal Stafa” ku do të përballen Partizani dhe Tirana.

Në kampet e të dyja skuadrave, lojtarët kanë marrë instruksionet e fundit, por te Tirana festa ka nisur një ditë më herët, kjo për shkak se kapiteni i bardhebluve, Ervin Bulku, ka festuar 35-vjetorin e lindjes me stafin dhe shokët e skuadrës.

Një atmosferë mjaft e këndshme është krijuar në dhomat e skuadrës për ditëlindjen e Bulkut, ndërkohë që pjesë e festës janë bërë edhe disa tifozë bardheblu që kane menduar t’i bëjnë një dhuratë surprizë kapitenit.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka marrë urimet e të gjithë bardhebluve në ambientet e stadiumit “Selman Stermasi” para se të niste stërvitja, por nuk ka munguar edhe një urim zyrtar në faqen e klubit.

“KF Tirana e uron Ervin Bulkun në ditëlindjen e tij duke i uruar suksese në karrierë dhe gjithe të mirat në jetë”, ka qenë urimi i skuadrës së Tiranës.

Top Channel