Kosovë, tekstet mësimore, të cunguara mbi trashëgiminë kulturore

03/03/2016 00:00

Trashëgimia kulturore në librat e historisë për shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, pasqyrohet e cunguar dhe nuk lidhet aspak me formësimin e identitetit, ndjenjën e përkatësisë, apo kujtesën kolektive.

Në këtë përfundim del një analizë e teksteve mësimore, e publikuar nga Organizata “Ec ma ndryshe”, me titull “Trashëgimia kulturore: Një histori e patreguar”. Ministria e Arsimit e pranon këtë fakt, por me arsyetimin se tekstet janë hartuar para 10 vitesh.

“Ministria e Arsimit ka bërë përpjekje, që boshllëkun në tekstet aktuale, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm siç është Këshilli i Europës, ta mbushim duke përfshirë materiale të tjera, që i shërbejnë mësimdhënësve për trashëgiminë kulturore. Dihet që ato tekste janë hartuar para disa vitesh dhe në atë kohë kanë qenë rrethana të tjera”, tha Arbër Salihu, zyrtar i MASHT.

Historiani Jahja Drancolli shpjegon për Top Channel se, një tjetër problem është fakti që në tekste prezantohet konteksti politik i shumicës së monumenteve.

“Tekstet tona nuk kanë pothuajse fare përmbajtje nga trashëgimia kulturore, pasi historia është kuptuar ndryshe dhe në njëfarë mënyre, koncepti i historisë është lidhur me historinë politike. Kjo e fundit, gjithsesi, është duke e ngarkuar nxënësin”, tha Jahja Drançolli, historian.

Përfundimet e raportit e shohin si alarmant faktin se, brezave të rinj nuk po u mësohet pothuaj asgjë për konceptin e trashëgimisë kulturore, në një kohë që Kosova po synon anëtarësimin në UNESCO.

Top Channel