Lojërat Olimpike, pjesëmarrës edhe skuadra e refugjatëve

03/03/2016 00:00

Çështja e refugjatëve nuk e ka lënë indiferent botën e sportit. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bach bëri të ditur se në Lojërat Olimpike të Rios së këtij viti pritet të marrë pjesë një skuadër e përbërë nga refugjatë që do të quhet Ekipi Olimpik i Refugjatëve.

Skuadra që zyrtarisht pritet të miratohet nga mbledhja e bordit Ekzekutiv të IOC do të përcaktohet në bazë të disa kritereve që janë niveli sportiv i pjesëmarrësve, statusi i verifikuar i refugjatëve nga OKB si dhe situata personale.

“Nuk kemi përcaktuar asnjë kuotë -tha Bach kur u pyet për numrin e sportistëve refugjatë pjesëmarrës në Rio 2016- gjithçka varet nga normat kualifikuese që do të arrihen. Kjo skuadër mund të përbëhet me 10 sportistë”.

Prej muajsh me mijëra refugjatë janë larguar nga Siria për të ardhur në Europë duke kaluar nëpërmjet Turqisë dhe Greqisë. Kjo situatë ka bërë që në Europë të ketë opinionie të ndryshme duke parë që numri i azilkërkuesve është rritur ndjeshëm.

“Me pranimin e Skuadrës Olimpike të Refugjatëve ne duam t’u japim një mesazh shprese të gjithë refugjatëve në botë. Duke qenë se ata nuk do të kenë asnjë vend për të përfaqësuar, do të garojnë nën flamurin olimpik”, shtoi Bach.

Skuadra Olimpike e Refugjatëve do të akomodohet në fshatin olimpik së bashku me vendet e tjera pjesëmarrëse dhe në ceremoninë e hapjes do të hyjë e parafundit për të bërë paradën prezantuese.

Bach theksoi se sportistët e kësaj skuadre do të trajtohen njësoj si të gjithë të tjerët dhe do të kenë të njëjtat privilegje me ta.

Top Channel