Vizita e diplomatit Yee në Maqedoni, takime me politikanët shqiptarë

03/03/2016 00:00

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee e ka nisur vizitën e tij në Maqedoni me krerët e dy partive shqiptare, Ali Ahmetin nga BDI dhe Menduh Thaçin nga PDSH.

Anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE, zgjidhja e krizës politike dhe organizimi i zgjedhjeve korrekte më 5 qershor, kanë qenë temat kryesore në takimet e ndara me politikanët shqiptarë, që zyrtari i lartë amerikan ka realizuar të enjten në Shkup.

“Nuk është biseduar për të shtyrë zgjedhjet, por që të gjithë duhet të kryejnë detyrat e veta që u takojnë. Duke nisur nga partitë politike, te Komisioni Qendror Zgjedhor, që zgjedhjet të jenë të besueshme. Partitë politike të bëjnë punën e tyre, të mos ushtrohet dhunë e të mos shkaktohet frikë mbi votuesit”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Pas takimit me zotin Yee, kreu i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi tha se, qeveria teknike duhet të përmbushë të gjitha kushtet për zgjedhje demokratike, për t’i dhënë SHBA-ve një argument të fuqishëm gjatë lobimit për përshpejtimin e anëtarësimit të vendit në NATO.

“Unë shpreha skepticizëm, ne fatkeqësisht nuk kemi lëvizur përpara sa u përket kushteve që kanë të bëjnë për zgjedhjet korrekte dhe demokratike. Po ashtu e sigurova diplomatin amerikan se, ne si PDSH do të vazhdojmë të japim kontribut konstruktiv drejt këtij procesi, edhe pse shumë gjëra nuk na pëlqejnë dhe i gëlltisim”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Zv.ndihmës Sekretari amerikan ka biseduar të enjten edhe me Presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov, ndërsa të premten do të zhvillojë takime të ndara me krerët e dy partive maqedonase, Nikola Gruevskin nga VMRO-ja dhe Zoran Zaevin nga LSDM-ja. Po ashtu, ai pritet të vizitojë edhe Prokurorinë Speciale, për t’i dhënë mbështetje për hetimin e skandaleve që dolën nga përgjimet.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel