Një pjesë e madhe e refugjatëve në Europë vijnë me dokumenta të falsifikuara dhe Greqia, si një prej portave hyrëse të këtyre njerëzve në Kontinentin e Vjetër, është kthyer në qendër të rëndësishme e falsifikuesve të pasaportave.

Gazetarë të televizionit gjerman “Bayerischer Rundfunk” e kanë ndjekur këtë çështje përmes një hetimi në Athinë, ku kanë kërkuar më së pari të kontaktojnë me falsifikuesit e pasaportave nga Pakistani. Duket se janë pikërisht ata që ndërmjetësojnë kontaktet me falsifikuesit e tjerë dhe kontrollojnë një pjesë të madhe të këtij biznesi. Siç tregojnë gazetarët, dy anëtarët e bandës me të cilët ranë në kontakt, vepronin hapur e pa asnjë droje. Veprimet kryhen në një mënyrë rutinë që tregon se kjo është pjesë e përditshmërisë së tyre dhe nuk tregojnë asnjë frikë. Shkëmbejnë fotografi dhe të dhëna pasaportash në nivel ndërkombëtar, një veprimtari e realizuar hapur përmes aplikacioneve Viber apo WhatsApp. 

Këta njerëz prodhojnë deri në 250 pasaporta të rreme në javë, çka sipas llogaritjeve të dy reporteve të BR-së, duhet të kapin shumën deri në 100.000 euro. Bëhet fjalë për pasaporta nga vende të ndryshme të botës. Gazetarët kanë qenë vetë dëshmitarë të momentit kur një emigrant iranian, i cili kërkon të shkojë në Gjermani, mori një pasaportë të rreme siriane, e cila është e një cilësie mjaft të lartë. Dokumente të tilla mund të kushtojnë edhe mbi 3 mijë euro. Sipas “Deutche Welle”, e cila citon gazetarët e BR-së, këta të fundit kanë parë vetë mbi tryezë pasaporta nga Franca, Shqipëria, Portugalia, Greqia, Kanadaja dhe SHBA të gatshme për falsifikim, ose ndërkohë të pastruara për t’u plotësuar me të dhëna të reja.

Skedat elektronike të identifikimit, sipas tyre, janë falsifikuar në Kinë e janë dërguar pas kësaj në kryeqytetin helen. Sipas falsifikuesve, me të tilla pasaporta klientët e tyre mund të kalojnë në Europë pa asnjë problem, aq më tepër që në zonat kufitare ku ata ecin në këmbë nuk ka skaner për verifikimin elektronik të të dhënave.

Top Channel