F1, Raikkonen teston sistemin e mbrojtjes së pilotëve

03/03/2016 13:30

Kimi Raikkonnen fitoi vëmendjen më të madhe në këto ditë testesh të Barcelonës të zhvilluara në prag të sezonit të ri të Botërorit të Formulës 1.

Piloti finlandez i Ferrarit u bë i pari që përdori sistemin mbrojtës të kokës Halo në makinën e tij. Bëhet fjalë për një trekëndësh i krijuar me fibra karboni i vendosur mbi makinë, në zonën e kokës së pilotit. Problemi me këtë sistem mbrojtës qëndron në faktin se kufizon shikimin e pilotëve dhe për këtë arsye FIA i kërkoi Raikkonenit që të verifikojë në pistë çështjen e shikueshmërisë.

Objektivi është që ky sistem mbrojtës që pritet të aplikohet në vitin 2017 të mbrojë kokën e pilotëve nga përplasje si ajo e Grosjean me makinën e Alonsos në Spa në vitin 2012, si dhe të mos lejojë që të përsëritet ajo që ndodhi me Massën në Hungari në vitin 2009, kur braziliani u godit nga një pjesë e makinës së Barrichellos.
 
Raikkoneni e kreu testin e këtij sistemi vetëm për një xhiro, me finlandezin që testoi shikueshmërinë, ndërsa skuadra studionte për mënyrën e fiksimit të këtij aparati. Në fund të këtij testimi, Raikkoneni e promovoi sistemin Halo përsa i përket çështjes së shikueshmërisë.

Top Channel