Premier League, Arsenal e Tottenham, çfarë gafe; Liverpool, leksion City-t

03/03/2016 00:00

Premier League këtë sezon është totalishte e paparashikueshme. Një ditë më parë kryesuesit e Leicester barazuan në shtëpi, por Arsenal dhe Tottenham nuk përfitojnë për t’u afruar, madje zbresin edhe më poshtë.

U mendua një ndeshje e lehtë për Arsenalin në “Emirates Stadium” ndaj Swansea, duke parë që kundërshtari renditej në vendin e 16-të në tabelë. Dhe ndeshja nisi mirë për vendasit, ku Campbell shënoi që në minutën e 15-të, ndërsa më pas ishte gjithçka për t’u harruar.

Swansea barazoi në pjesën e parë me Routledge, ndërsa atëherë kur të gjithë në stadium po prisnin golin e fitores për Arsenalin ishin sërish miqtë që bëjnë surprizën, duke shënuar edhe golin e dytë dhe të fitores në minutën e 74-t me Williams.

Java e 28 në Premier League ishte zhgënjyese edhe për Tottenham, të cilët pas 6 fitoreve radhazi u mposhtën nga West Ham 1-0.

Ndërkohë, Liverpooli shkatërroi 3-0 City-n në një ndeshje të dominuar totalisht nga të besuarit e Jurgen Klopp. Autorë të golave ishin Lallana, Milner dhe Firmino.

Edhe pse me vështirësi, Manchester United arriti të merrte pikët e plota nga kjo javë, duke fituar minimalisht ndaj Watford, me një gol të shënuar 7 minuta nga fundi, me autor spanjollin Mata.

Pas javës së 28, Premiere League vazhdon të udhëhiqet nga Leicester, të cilët edhe pse morën vetëm një pikë këtë javë zgjerojnë diferencën nga ndjekësit. Ata janë në kuotën e 57 pikëve, 3 më shumë se Tottenham dhe 6 nga Arsenali i vendit të tretë. Manchester City dhe Unitet renditen përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë me të njëjtën kuotë pikësh, me nga 47.

Top Channel