Thaçi, për Top Channel: Do të jem një president ndryshe

02/03/2016 20:05

Hashim Thaçi premton se do të jetë një president ndryshe në Kosovë. I sapozgjedhur nga Kuvendi, Thaçi është në pritje të marrjes zyrtarisht të detyrës. Në një intervistë për Top Channel ai thotë se ka besim se liderët e politikës kosovare do ta zgjidhin tensionin politik.

Top Channel: Zoti president, a keni ndonjë plan konkret për dalje nga kriza politike dhe besoni se opozita do ti përgjigjet thirrjes për takim me ju?

Hashim Thaçi: Unë kam besim se tek liderët politik të Kosovës do të dominojë vullneti politik. Do të dominojë energjia pozitive që të gjejmë zgjidhjen e pranueshme të përbashkët për ecje përpara.

Top Channel: Çfarë prisni nga Gjykata Speciale tani që kanë përfunduar të gjitha procedurat për formimin e saj?

Hashim Thaçi: Ne si Kosovë i kemi përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme, të gjitha obligimet që i kemi karshi bashkësisë ndërkombëtare. Unë mendoj se Gjykata Speciale duhet të shfrytëzohet si një avantazh për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Kështu që ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe do t’i japim mbështetje të plotë.

Top Channel: Si president jeni edhe komandant suprem i forcave të armatosura. Kur besoni se FSK do të shndërrohet në ushtri?

Hashim Thaçi: Edhe si president i vendit edhe si komandant i forcave të armatosura të Republikës së Kosovës do të punojë menjëherë për themelimin e Forcave të Armatosura, për fillimin e partneritetit për paqe dhe natyrisht edhe gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare Kosova të integrohet në NATO.

Top Channel: A keni menduar ende se si do të jetë dita juaj e parë si president i Kosovës?

Hashim Thaçi: Mendoj se do të jetë një ditë e veçantë, një ditë e re për Kosovën e re, për Kosovën evropiane. Do të jetë një presidencë më ndryshe dhe një president më ndryshe.

Top Channel: Pas largimit tuaj nga kreu i PDK-së, partia më e madhe në vend ka mbetur pa kryetar për herë të parë pas 17 viteve. Ndërkohë, janë shtuar zërat që zëvendësi juaj i deritanishëm  zoti Kadri Veseli mund tu pasojë ju. A mendoni se Veseli mund të udhëheqë PDK-në?

Hashim Thaçi: Gjithçka do të jetë në përputhshmëri me statutin e Partisë Demokratike të Kosovës, gjithashtu edhe me vullnetin e njerëzve. Prandaj, kjo çështje i takon tashmë lidershipit të ri të Partisë Demokratike dhe jo presidentit të vendit.

Top Channel