Ata nuk janë të çmendurit e familjes Adams në Amerikën e viteve ’90-të në komedinë e famshme me të njejtin titull. Nuk janë as artistë të Broadway-t, ndonëse sjellin një mjuzikëll të mirëfilltë.

Këtë herë “të çmendurit Adams” vijnë në një terren shqiptar në skenën e Teatrit Eksperimental, në një shfaqje ku aktorët aktrojnë, kërcejnë dhe këndojnë.

“Është marrë inspirimi dhe është bërë një përshtatje nga teksti i të njohures pjesë ‘Familja Adams’. Është varianti teatror i kësaj pjese, variant i cili përdoret edhe në mjuzikëllët e fundit në Brodway. Kjo shfaqje është risi në skenën tonë pasi për herë të parë po eksperimentojnë në një zhanër të plotë mjuzikëlli”, u shpreh Ada Ruçi, drejtoreshë artistike në TKEKS.

Për regjsiorin, qëllimi i komedisë është të përçojë në publik mesazhin se e ndryshmja nga ne, jo domosdoshmerisht është e keqe.

“Koncepti ‘i çmendur’ është e kundërta me normalen, kështu që t’ua lëmë publikut të shohin sesa të çmendur dhe normalë janë njëkohësisht këta. Ne hyjmë në shfaqje duke parë si të çmendur dhe, unë mendoj, dalim duke parë se të çmendur jemi ne që kemi hyrë”, tha regjisori Endri Çela.

Gjithçka do të interpretohet “live” nga aktorët në “Të çmendurit Admas”, premiera e së cilës do të vijë për publikun mbrëmjen e 5 marsit.

Top Channel