100 ditë nga Europiani, UEFA: Cana, Hysaj e Berisha mes yjeve që duhen ndjekur

02/03/2016 00:00

Vetëm 100 ditë na ndajnë nga Europiani dhe shqiptarët mezi po presin që kompeticioni më i rëndësishëm i kombëtareve të hapë siparin në Francë për shkak të kualifikimit historik të kombëtarës “kuqezi”.

Lojtarët më të mirë, skuadrat më të forta dhe emocione të jashtëzakonshme pritet të përcjellë Europiani i kësaj vere.

Shumë shqiptarë do të kenë mundësi të jenë në stadiumet ku do të luajë Shqipëria, por miliona të tjerë do të jenë në “radhën e parë” falë Top Channel dhe Supersport që do të shoqërojnë këmba-këmbës lojtarët që po shkruajnë historinë e futbollit shqiptar.

Por, jo vetëm shqiptarët duan të shohin “kuqezinjtë” në fushë, pasi UEFA sugjeron që mes 100 yjeve që do të jenë në Europian, janë edhe kapiteni Lorik Cana, mbrojtësi Elseid Hysaj dhe portieri Etrit Berisha.

Emra të tjerë të përzgjedhur nga UEFA janë Andres Iniesta e Sergio Ramos te Spanja, për të vazhduar me Buffon, Verrati e Bonuçi te Italia, Gareth Bale te Uellsi, Cristiano Ronaldo e Pepe te Portugalia, Ibrahimovic te Suedia, Neuer, Ozil e Mueller te Gjermania, Rooney te Anglia apo edhe Paul Pogba te Franca.

Top Channel