Sepp Blatter: Federata Angleze, humbëse e keqe

02/03/2016 00:00

Sepp Blatter sulmon ashpër Federatën Angleze të Futbollit. Ish-presidenti i FIFA-s që ka nisur një dënim prej 6 vitesh pezullim nga të gjitha aktivitetet i ka konsideruar drejtuesit e futbollit britanik si humbës të këqinj, kjo për shkak se Anglia nuk mundi dot të fitojë të drejtën e organizimit të Botërorit të vitit 2018 kundrejt Rusisë.

“Jam shumë i habitur sepse loja e bukur e futbollit filloi të organizohej pikërisht në Angli. Pikërisht këtu mori vlerë edhe shprehja ‘fair play’ që do të thotë se mund të mësosh të fitosh, por mund të mësosh edhe të humbasësh. Mendoj se në Angli e kanë harruar domëthënien e këtij koncepti. Personalisht nuk kam asnjë problem me drejtuesit e futbollit anglez, por kanë ata me mua dhe kjo jo vetëm për shkak se humbën garën për zhvillimin e Botërorit 2018”, tha Blatter.

Sipas tij, problemi i Federatës Angleze të Futbollit është se ajo po e humbet hegjemoninë që kishte në këtë sport deri në vitet ‘70-‘80.

“I gjithë ky inat nisi kur futbolli anglez nisi të humbasë dominimin e tij në këtë sport. Në angli askush nuk arrin të harrojë faktin se ne vitin 1974 Havelange mundi Sir Stanley Rous në krye të FIFA dhe nuk do ta falin kurrë këtë”, vijoi Blatter.

Top Channel