Leicester ndalet nga WBA, fiton sërish Chelsea

01/03/2016 00:00

Atëherë kur nuk pritej kryesuesit e Premiere League, Leicester janë ndalur në një barazim 2-2 në fushën e tyre ndaj West Bromwich.

Ekipi i drejtuar nga trajneri italian, Claudio Ranieri, u gjend në disavantazh që në minutën e 11, por tashmë ata kanë treguar se nuk janë rastësisht në vendin e parë në klasifikim dhe janë të aftë ta kthejnë rezultatin edhe brenda pjesës së parë. Këtë bënë edhe mbrëmjen e së martës, ku Drinkwater dhe King shënuan për Leicester në pjesën e parë duke e çuar rezultatin në 2-1. Megjithatë, miqtë reaguan vetëm 5 minuta pas nisjes së pjesës së dytë duke barazuar shifrat me anë të Gardner.

Leicester bëri përpjekjet maksimale deri në fundin e takimit, duke krijuar raste të shumta për shënim, por nuk arriti këtë herë të merrte 3 pikët, duke i dhënë mundësi ndjekësve të Tottenham të barazohen me pikë në krye të klasifikimit, nëse do të fitojnë mbrëmjen e së mërkurës ndaj West Ham.

Ndërsa Chelsea ka arritur një tjetër fitore në transfertë, këtë herë ndaj Norwich me rezultatin 1-2. Autorë të golave për “Blutë e Londrës” ishin Kennedy dhe Diego Costa.

Top Channel