Refugjatët, Greqia e Gjermania bojkotojnë takimin e policive kufitare

01/03/2016 00:00

Shefat e policive kufitare të disa vendeve të prekura nga rrugëtimi ballkanik i refugjatëve kanë marrë masa për kontrollin e refugjatëve që arrijnë në Europë. Ata duan që të kenë një bazë të përbashkët të dhënash dhe regjistrimi, pas bllokimit të 7.000 refugjatëve në Greqi dhe nga 1.000 respektivisht në Maqedoni e Serbi.

Megjithatë, grekët nuk kanë marrë pjesë në takimin me homologët e tyre, ashtu sikurse dhe Gjermania.

“Kemi rënë dakord që është e rëndësishme të përforcojmë kontrollet kufitare në çdo shtet, në mënyrë që të ndalojmë mundësinë e migrimeve ilegale, me të cilat përballemi, por edhe respektimin e atyre që kanë të drejtë azili”, tha Vladimir Rebiç nga Policia Kufitare serbe.

Austriakët, që shprehin shqetësimin më të madh thonë se, shteti i tyre do të marrë këtë vit vetëm 37 mijë refugjatë.

“Këtë problem nuk mund ta zgjidhë vetëm një shtet, apo tri-katër shtete. Ky është një problem europian dhe kërkon zgjidhje të tillë. Për Maqedoninë është e rëndësishme, që policia greke të nënshkruajë bashkëpunimin dhe, nëse ata marrin pjesë në zgjidhjen e problemit, do të jetë më e lehtë”, tha Gorance Savovski nga Policia Kufitare maqedonase.

Maqedonasit ndodhen në zonën më të vështirë, pasi lajmet nga kufijtë nuk janë të mira. Përfaqësuesi nga Shkup tha se, Maqedonia lë të lirë aq emigrantë sa ç’mund të pranojë Serbia.

“Ne jemi duke u munduar të gjejmë një zgjidhje, në mënyrë që të mos kemi më probleme dhe të mos ketë presion te vendet e Ballkanit”, tha Konrad Kogler nga Policia Kufitare austriake.

Problemet me refugjatët shtohen, pasi rregullat janë bërë më strikte që prej kohës kur Gjermania nuk duket më aq aktive në ndihmesën ndaj tyre. Vendet e tjera nuk lejojnë kalimin e tyre, pasi tani numri i pranuar i emigrantëve, nga vendet që ata synojnë, duket i plotësuar.

Top Channel