Përshkallëzimi i situatës së një dite më parë në Idomeni të Greqisë, ku qindra refugjatë u përpoqën të çanin barrierat e të kalonin në territorin maqedonas, solli reagimin e shefit të diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë i përshkroi pamjet e së hënës nga kufiri greko-maqedonas, si provën e faktit, që përpjekjet e veçuara kombëtare nuk e davarisin problemin.

“Tani – tha Steinmeier, – duhet vepruar me shumë intensitet për të gjetur zgjidhje të përbashkëta europiane”. I së njëjtës linjë ka qenë dhe kryeministri grek, Alexis Tsipras, sipas të cilit, në samitin e 7 marsit mes BE-së dhe Turqisë në Bruksel, Athina do të mbështesë vetëm një zgjidhje europiane dhe një shpërndarje të drejtë të refugjatëve brenda bllokut.

Maqedonia pothuajse e ka mbyllur krejtësisht kufirin e saj dhe nuk lejon veçse kalimin e një numri të vogël refugjatësh sirianë dhe irakianë në ditë. Kontigjente ditore kanë vendosur edhe vendet e tjera ballkanike të rrugës së refugjatëve drejt veriut të Europës.

Kjo ka shtuar ndjeshëm presionet në Greqi, ku mijëra vetë presin të kalojnë kufirin, mbyllja e të cilit, sipas përllogaritjeve të qeverisë së atjeshme, do të bëjë që në ditët e ardhshme numri i refugjatëve në vend të rritet deri në 100 mijë.

Për të përballuar ngërçin e emigrantëve, sfida më e re madhore për Greqinë, e përballur me vështirësi financiare që e çuan deri në prag falimentimi, Athina i ka kërkuar Bashkimit Europian 470 milionë euro ndihmë.

Top Channel