Qytezat e jetëgjatësisë në Britani

01/03/2016 00:00

Plot 10 komplekse të reja banimi janë planifikuar të ngrihen në Britani, çfarë nuk do të përbënte asnjë risi po të mos kishin një veçori të rrallë: këto miniqytete janë perceptuar në mënyrë të tillë, që të shtojnë jetëgjatësinë e banorëve të tyre.

Për krijimin e të ashtuquajturave “zona të shëndetshme” do të merren një sërë masash. Kështu, pranë shkollave nuk do të lejohet hapja e “fast food”-eve, vende të caktuara do të mbushen me tabela, që i detyrojnë njerëzit të ecin e jo të kalojnë me makinë, është menduar të krijohen deri dhe trotuare me sipërfaqe të posaçme kundër rrëzimit, ndërsa projekti përfshin dhe kafenë të ngjashme me ato të viteve ’60 për t’i ndihmuar të moshuarit të ndihen sa më mirë.

Llogaritet që një qytezë e jetëgjatësisë të sistemojë rreth 170 mijë britanikë. Shpresat janë që nisma të arrijë të kthehet në një plan të mirëfilltë për të gjitha zonat e reja rezidenciale në të ardhmen, me qëllim përmirësimin e jetës së brezave të ndryshëm.

Ndërtimi i një pjese të komplekseve në fjalë ka nisur, ndërsa puna te të tjerët nuk do të përfundojë përpara vitit 2030.

Top Channel